Teatri, kultura dhe sporti duhet të jenë në radhë të parë per ata që kontribuojnë drejt pajtimit

Teatri si hapësirë ku “jeton e vërteta”, arti i angazhuar, aktivizmi kulturor, sfidat dhe perspektivat në fushën e kulturës – këto janë vetëm disa nga temat mbi të cilat biseduan ne diskutimin mbi sfidat kulturore drejtori i teatrit dhe themeluesi i Fondacionit Hartefakt Andrej Nosov, aktori i njohur, regjisori e shkrimtari Enver Petrovci si dhe aktori dhe profesori Aleksandar Đinđić.

“Unë mendoj se kjo hapësirë (teatër) ekziston për të lidhur dy shoqëri, për të lidhur komunitetet, sido që ta quani këtu, dhe për të lidhur njerëzit, kjo është gjëja kryesore. Sepse çfarëdo që të ndodhë dhe sido që të shihen këto gjëra në të ardhmen, do të doja që ne të dinim dhe të kuptonim se çfarë ndodh çdo ditë në Prishtinë, por nuk e dimë”. tha Nosov.

Ai shton edhe shembullin e tij, duke shpjeguar se pritshmerite e tij për procesin e kalimit ne Merdar dhe mbërritjen në Prishtinë ishin të gabuara, falë titujve në media.

“Kam ardhur në Merdare dhe nuk ka ndodhur asgjë, kam kaluar. Gjithçka është në rregull, kam dalë në qytet, çfarë t’ju them, gjithmonë ekziston ky tension se diçka do të ndodhë”, tha Nosov.

“Ne jemi disi të polarizuar. Ose je me mua ose je me ta, nuk ka opsion tjetër. Unë nuk mendoj se ajo gjë ekziston. Në fund të fundit, nuk besoj se ekziston një gjë e tillë si – më e mira. më e bukura…” – tha Enver Petrovci.

Ai shton se edhe partitë politike kanë krijuar përçarje.

“Partitë të bëjnë të thuash këtë, nëse thua një fjalë të mirë për dikë, atëherë je menjëherë kundër meje… Ta pranojmë, unë nuk kam qenë anëtar partie, nuk është se kam qenë kundër, por kam qenë një artist. Për këtë arsye unë mendoj se një artist nuk duhet të jetë anëtar i një partie politike. Kam pasur probleme sepse nuk kam qenë anëtar.” tha ai.

“Përpiqem t’i formoj studentët e mi në atë mënyrë që ata të jenë të hapur ndaj botës, ndaj letërsisë, ndaj njëri-tjetrit, ndaj diversitetit në të gjitha nivelet, kështu që nuk është asgjë e re për mua dhe më duket se po ia arrij t’i lidh studentët me studentët e tjerë…” – tha Đinđić, profesor në Fakultetin e Aktrimit në Mitrovicën e Veriut.

Đinđić është një nga aktorët e shfaqjes së Hartefakt – “Djali ynë”, e cila u shfaq në Gjilan dhe Prishtinë në fund të tetorit.

“Mendoj se do të ketë një mundësi që disi të takohemi dhe të shkëmbejmë eksperiencë artistike edhe nga këto treva. Ashtu siç është e rëndësishme për mua, si aktor, që tani jam këtu, pranë kolegut tim më me përvojë dhe të shkëmbejmë diçka me të… Nuk kishim asnjë dilemë se ku po shkojmë, audienca është audiencë, mendoj se të gjithë këtu do të pajtohen. Ne në fakt duam të shqyrtojmë hapësira të ndryshme, audienca të ndryshme, gjuhë, kultura. Kjo është një nga arsyet që ne e bëjmë këtë punë. Si profesor, këtë mundohem t’ua përcjell studentëve, si diçka që është primare dhe për te cilën duhet të jenë këtu”, shtoi ai.

“Mendoj se teatri dhe kultura duhet të jenë në radhë të parë për ata që kontribuojnë në pajtimin e njerëzve, dy kulturave, dy komuniteteve. Dhe sporti. Ata duhet të jenë të parët”, tha Petrovci.

Ai beson se njerëzit që morën pjesë në diskutim janë gjithashtu të guximshëm.

“Këta njerëz këtu janë shumë të guximshëm, pasi koha është kundër tyre. Tani nuk është koha jonë,” tha ai.

“Ne nuk kemi asnjë shpresë dhe mendoj se arti, para së gjithash, duhet të na japë atë shpresë… Shpresë të vërtetë se ekziston mundësia që kjo lloj ngjarje të jetë një dukuri krejtësisht normale,” tha Nosov.

Në kuadër të mirëkuptimit, ai theksoi veçanërisht rëndësinë e një qasjeje kritike.

“Ne kemi nevojë për njerëz në audiencë që do të kuptojnë një qasje kritike, cilado qoftë përkatësia e tyre etnike, orientimi seksual, kushdo qofshin ata. Gjithçka tingëllon si klishe, por fakti që shqiptarët do të jenë njerëz me mendim kritik dhe serbët në Kosovë jo, nuk u sjell asgjë të mirë shqiptarëve, sepse ata do të kenë si fqinj njerëz që nuk do të kenë mendim kritik, si dhe anasjelltas. Pra, mendoj se kjo është gjëja dhe roli kryesor në rishikimin e pozicionit tjetër… Ne kemi breza të rinj që nuk e kuptojnë dot, për shembull, qëndrimin e Enverit. Tani ata nuk mund të kuptojnë as qëndrimin tim, pavarësisht se unë jam pak më i ri”, tha Nosov.

Diskutimi u mbajt në fund të tetorit në Prishtinë, i organizuar nga OJQ Aktiv në kuadër të Projektit Manifesto 14 për Ballkanin Perëndimor.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *