Shtypja sistematike dhe lënia në hije e grave janë të rrënjosura në rolet tradicionale gjinore

Autori: Blenda Asllani

Gratë e Kosovës pavarësisht nga përkatësia etnike, klasa, rajoni dhe statusi, përballen me shumë sfida të rrënjosura në rolet tradicionale gjinore, presionin socio-ekonomik dhe pritjet sociale. 

Si zakonisht, strukturat sociale në shoqëritë konservatore krijojnë norma që shtyjnë drejt strukturave shoqërore që përjetësojnë shtypjen e grave.

Cenueshmëria ndaj shtypjes në çfarëdo forme rritet për gratë serbe, rome, ashkali, egjiptiane, boshnjake dhe turke apo gratë queer që jetojnë në Kosovë. Ato përballen me diskriminim të dyfishtë, jo vetëm si gra, por edhe si anëtarë të grupeve minoritare. Kombinimi i diskriminimit gjinor dhe/ose etnik krijon sfida shtesë për këto gra.

Përveç sfidave të tjera, artikulli im do të trajtojë tri nga sfidat kryesore që prekin jetën e përditshme të çdo gruaje: sfidat e sigurisë dhe dhunën me bazë gjinore, pjesëmarrjen e kufizuar publike dhe barrën e punës pa pagesë.

Trajtimi i këtyre shqetësimeve është i rëndësishëm jo vetëm për promovimin dhe avancimin e barazisë gjinore, por edhe për lëkundjen e normave patriarkale që kufizojnë dhe shtypin të gjitha gjinitë në mënyra të ndryshme.

Sfidat e sigurisë së grave dhe dhuna me bazë gjinore 

Raporti “Shqetësimet lidhur me sigurinë e grave në Kosovë” i publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) thekson dhunën me bazë gjinore si një nga kërcënimet kryesore për gratë. Këtë e dëshmon edhe rritja e numrit të grave të vrara në vitet e fundit. 54 gra kanë qenë viktima të femicidit në Kosovë në 13 vitet e fundit.

Bazuar në databazën e organizatës QIKA, në periudhën 2015-2021, në Policinë e Kosovës janë raportuar 14,268 raste të dhunës me bazë gjinore.

Edhe pse numri i rasteve të raportuara të dhunës me bazë gjinore është rritur vitet e fundit, ato mbeten ende të paraportuara për shkak të faktorëve socio-ekonomikë dhe mungesës së besimit të grave në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.

Kthimi në rigjykim, zgjatja e trajtimit të rasteve të dhunës, dënimet e ulëta për autorët, mungesa e ndjeshmërisë dhe ekspertizës, kultura e fajësimit të viktimës i bën gratë të hezitojnë të raportojnë rastet.

Mungesa e pavarësisë dhe sigurisë ekonomike kontribuon më së shumti në mungesën e sigurisë së grave, e cila shpesh i detyron gratë të jetojnë me abuzuesin e tyre sepse nuk trashëgojnë pronë nga familja e tyre, nuk gëzojnë mbështetje të qëndrueshme institucionale dhe financimi i strehimoreve për viktimat është i pamjaftueshëm dhe i paqëndrueshëm.

Pjesëmarrja e kufizuar publike e grave 

Përfaqësimi publik i grave në Kosovë, përkundër disa përparimeve, vazhdon të përballet me sfida strukturore dhe sistematike. Përderisa Kosova ka pasur dy gra presidente në historinë e saj, kjo arritje nuk pasqyron gjendjen e përgjithshme të pjesëmarrjes publike dhe politike të grave.

Debatet politike në Kosovë paraqesin kryesisht burra analistë dhe rolet udhëheqëse në sektorët publikë si administrata e shkollave dhe fakultetet universitare janë kryesisht të zëna nga burrat. Për më tepër, ndërmarrjet publike zakonisht udhëhiqen nga burrat dhe aktualisht, asnjë parti politike nuk ka një udhëheqëse grua. 

Sipas hulumtimit të D4D “Hulumtimi mbi gratë në Republikën e Kosovës”, 97% e grave në Kosovë janë politikisht joaktive, ndërsa vlerësimi i Institutit Kombëtar Demokratik për pjesëmarrjen politike të grave në Kosovë tregon boshllëqe të konsiderueshme në arritjen e pjesëmarrjes së plotë dhe të barabartë. Ndërkohë që ka pasur përparim, pengesat thelbësore vazhdojnë, të tilla si mjediset armiqësore politike dhe sfidat në marrjen e mbështetjes financiare dhe politike.

Sa i përket përpjekjeve shtetërore, Kosova ka Programin e Kosovës për Barazi Gjinore (2020-2024) i cili ofron një kornizë për integrimin e barazisë gjinore në ligje, politika dhe shërbime publike, por me skadimin e tij nuk ka përpjekje për hartimin e një strategjie të re.

Ky dominim i burrave në hapësirat publike është dhe mbetet një çështje e dukshme, duke mos u dhënë hapësirë grave por edhe duke shtypur ato që marrin pjesë në jetën publike me dhunë kibernetike, komente seksiste për pamjen dhe veshjen, mizogjininë dhe linçimin publik.

Barra e punës pa pagesë

Puna pa pagesë i referohet të gjitha shërbimeve të ofruara brenda një familjeje dhe anëtarëve të saj, por që nuk kompensohen financiarisht. Kjo përfshin një gamë të gjerë detyrash të tilla si kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit, punët e shtëpisë, punët vullnetare në komunitet dhe punë të tjera shtëpiake. 

Puna pa pagesë është vendimtare për funksionimin e ekonomive familjare dhe ekonomisë më të gjerë, megjithatë ajo mbetet e panjohur në matjet dhe diskutimet ekonomike në Kosovë, rajon dhe botë.

Në kontekstin e Kosovës, dhe në të gjitha grupet etnike, ekziston një normë kulturore mbizotëruese që e sheh punën e kujdesit dhe detyrat e ndërlidhura me të si përgjegjësi kryesisht të grave. Kjo perspektivë shoqërore cakton pjesën më të madhe të punës pa pagesë për gratë, bazuar në rolet tradicionale gjinore. Kjo shpërndarje e pabarabartë jo vetëm që pasqyron normat gjinore të rrënjosura thellë, por gjithashtu ndikon në mundësitë e grave në arsim, punësim dhe jetën publike. 

Raporti “Kush kujdeset?” nga Instituti Musine Kokalari ofron njohuri thelbësore për këtë çështje, duke zbuluar shtrirjen dhe vlerën ekonomike të punës pa pagesë të kujdesit në Kosovë.

Sipas raportit, individi mesatar në Kosovë shpenzon rreth 4.9 orë në ditë në punë pa pagesë të kujdesit direkt dhe indirekt. Megjithatë, kjo barrë nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet gjinive. Gratë në Kosovë, mesatarisht, i kushtojnë 6.2 orë punës pa pagesë të kujdesit, ndërsa burrat kontribuojnë dukshëm më pak, mesatarisht 3.5 orë. Kjo do të thotë se gratë shpenzojnë 2.7 orë më shumë në detyra të tilla, që barazohet me 44% më shumë kohë në krahasim me bashkëshortët/partnerët e tyre meshkuj.

Kjo pabarazi gjinore në punën pa pagesë ka implikime të thella. Ajo jo vetëm që thekson rolet tradicionale gjinore të përhapura në shoqërinë kosovare, por gjithashtu thekson implikimet ekonomike të kësaj pune. Vlera totale e vlerësuar e punës pa pagesë të kujdesit në Kosovë është 2,824,248,757€, që përbën rreth 33% të bruto prodhimit vendor (BPV) të vendit. Kjo shifër nënvizon kontributin e konsiderueshëm, por të panjohur, të punës pa pagesë të kujdesit në ekonominë kombëtare.

Mbyllja dhe shtypja sistematike e gruas, e cila e ka burimin në rolet tradicionale gjinore dhe pritshmëritë sociale të normuara në shoqërinë tonë, shfrytëzon përvojat, njohuritë dhe kontributet e grave si individë, si pjesëtare të familjes, shoqërisë dhe shtetit.

Adresimi i këtyre sfidave dhe rrugëtimi i Kosovës drejt barazisë gjinore dhe një shoqërie gjithëpërfshirëse ku kontributi i grave në sferën publike dhe private njihet dhe vlerësohet, kërkon një përgjigje të menjëhershme dhe një qasje të shumëanshme duke përfshirë reformat ligjore dhe gjykimet e drejta, politikat ekonomike feministe, mbështetjen institucionale, qasjen në arsim dhe shëndetësi për të gjitha gratë.


Kjo përmbajtje u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Alternativna në partneritet me Iniciativa e Re Sociale.


Blenda Asllani

Blenda Asllani ka studiuar Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës. Ajo është një aktiviste feministe dhe punon si hulumtuese në QIKA. Blenda ka shkruar për tema të ndryshme politike dhe socia le në kontekstin e Kosovës dhe rajonit.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *