Autori: Sanja Sovrlić
Ishte viti 2000 ndoshta edhe ndonjë vit ma shumë, le të themi 2010. Unë udhëtova me një koleg të kolegjit në linjën Leposaviq-Rashkë me autobus. Ndaluam shkurt në vendkalimin Jarinje, ku kontrollohen letërnjoftimet nga policia e Kosovës dhe pas kësaj, rreth një kilometër larg, në Rudnicë, policia serbe kontrollon identitetin e udhëtarëve.
Një polic hyn dhe kontrollon në mënyrë rutinore dokumentet personale, që kanë përgatitur pasagjerët. Në një moment dëgjohet një zhurmë. Një burrë i moshës së mesme fillon t’i bërtasë një zotërie të moshuar, me sa duket një pensionist. “Turp të kesh”, dëgjohet një zë disa ulëse larg nesh. Thirrjet dhe britmat e revoltuara nuk pushojnë: “E tradhtove Kosovën për 40 euro! Turp të kesh! “E tradhtove Kosovën për 40 euro!
Zotëria i inatosur përsëriti shumë herë këtë britmë, sa që për një moment menduam se do të kërkonte që pensionisti të nxirret jashtë autobusit. Ishte pikëlluese të shikoje të moshuarin që heshti për të gjitha këto, duke shikuar i frikësuar dhe i hutuar shokun e tij.
Unë dhe kolegu im në një çast shikuam njëri-tjetrin dhe qeshëm nga neveria dhe mosbesim. Pa fjalë e kuptuam atë situatë dhe në sa nivele është gabim të akuzohet ai pensionist për çdo gjë që ndodh në Kosovë, i cili, duke gjykuar nga konkluzioni i burrit që bërtiste, kishte një letërnjoftim të Kosovës, me të cilin realizonte të drejtën e një pensioni kosovar për persona mbi 65 vjeç.
Fatkeqësia është se mund të gjenden lehtësisht individë, të cilët edhe sot e kësaj dite me lehtësi mund ta bartin përgjegjësinë për situatën në Kosovë dhe pozitën e serbëve në rrethanat e tanishme tek ai zotëri i moshuar apo ndonjë qytetar tjetër, që përpiqet të gjej ndonjë zgjidhje në një situatë të ndërlikuar politike. Për shkak të narrativave shumë dekadash, të diktuara nga zyrtarët shtetërorë, shpesh herë krijohet një atmosferë, ku përgjegjësia kalon te qytetarët në vend të politikanëve që i vendosin në një pozitë të palakmueshme.
Gjykimet e lehta se serbët nga Kosova “tradhtuan” diçka, shpesh dëgjohen përmes fjalive tashmë të njohura: “Ata shitën gjithçka në Kosovë, erdhën këtu në Beograd, u punësuan, blenë apartamente”. Të mos flas për faktin se askush nuk i pengon ata që bëjnë vlerësime të tilla të vijnë të jetojnë në Kosovë. Ka shumë fjalish, që përdoren për të stigmatizuar njerëzit nga Kosova. Ndoshta mund ta quajmë edhe pikë e përafërt e serbëve dhe shqiptarëve, të cilët vazhdimisht, në mënyra të ndryshme, stigmatizohen në një pjesë të hapësirës publike serbe.
Kalimi sporadik i “patatës së nxehtë” në duart e qytetarëve, në këtë rast serbëve nga Kosova, po ndodh prej dekadash. Pensionisti nga fillimi i rrëfimit do të ketë një kujtim të shëmtuar nga ajo ngjarje, por ka mundësi që të mos ketë pasoja të mëdha.
Këto ditë në veri të Kosovës disa njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë, sepse shteti i Serbisë i ka bindur se gjithçka është në rregull. Përkatësisht, Agjencia Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës në fund të muajit maj u ka dërguar disa dhjetëra njoftime pronarëve të banesave në Veri të Kosovës, sipas të cilave ata janë të detyruar të largohen nga ato banesa. Qytetarët u tronditën nga ky njoftim, pasi që bëhet fjalë për banesa për të cilat, siç theksojnë ata, i kanë shlyer borxhet, ndërmarrjeve shoqërore, në pronësi të të cilave ishin apartamentet para blerjes.
Bëhet fjalë për njësitë banesore, në të cilat jetonin shqiptarët në vitet 80-90, të cilëve iu hoqën të drejtat pasi u dëbuan nën presionin e regjimit të Millosheviqit ose u larguan nga institucionet e atëhershme (jugosllave). Serbëve, të cilëve më vonë iu dhanë banesat në shfrytëzim, iu ofrua mundësia për t’i blerë ato vite më vonë, gjë që ata e bënë – ata paguan, të sigurt se me ato para u bënë pronarë të pasurive të paluajtshme. Agjencia Kosovare për Verifikimin dhe Krahasimin e Pronës e konsideron vendimin e atëhershëm si diskriminues ndaj shqiptarëve dhe nuk i njeh vendimet, kështu që ka urdhëruar banorët aktualë që të largohen nga këto banesa. Mirëpo, edhe pse kjo temë tanimë është aktuale, nuk është e re, duke pasur parasysh se më herët këtë çështje e kanë trajtuar drejtoritë dhe agjencitë që kanë funksionuar në Kosovë. Në fillim të viteve 2000, administrata e UNMIK-ut miratoi një rregullore ku, ndër të tjera, thuhet:
“Çdo person të cilit i janë humbur të drejtat pronësore nga data 23 mars 1989 deri më 24 mars 1999 si rezultat i diskriminimit, ka të drejtë në kompensim në përputhje me këtë Rregullore. Kompensimi mund të ketë formën e kthimit të të drejtave pronësore (në tekstin e mëtejmë ‘kompensim në naturë’) ose kompensimit. Çdo person me të drejtë pronësie më 24 mars 1999, i cili ka humbur posedimin e pronës së tij dhe nuk ka hequr dorë vullnetarisht nga e drejta e tij mbi pronën, ka të drejtë në urdhëresën e komisionin për riposedimin e pronës. Komisioni nuk pranon kërkesat për dëmshpërblim të dëmit apo shkatërrimit të pronës”.
UNMIK-u më vonë ua barti përgjegjësitë institucioneve të Kosovës dhe sot me këtë çështje merret Agjencia Kosovare për Verifikimin dhe Krahasimin e Pronës. Nuk ka mundësi për ankesa të qytetarëve ndaj vendimeve të agjencisë, që do të thotë se ata nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të largohen.
Sigurisht, momenti dhe mënyra e zbatimit të këtij vendimi është tendencioz, sidomos që dy vitet e fundit, aktivitetet e institucioneve të Kosovës, veçanërisht të fokusuara në Veriun e Kosovës. Gjithashtu, është e diskutueshme se sa ka qenë aktive kjo agjenci, kur është fjala për lirimin e banesave në pronësi të serbëve në Jug të Kosovës, ku ka dhjetëra mijëra konteste pronësore që zgjasin për dy dekada. Por, nuk mund të thuhet se vendimi është i papritur.
Duke qenë se politika e autoriteteve serbe është personifikuar në ‘stikera’, që dikur ishin ngjitur në targa, por në fakt ishin ngjitur gjatë gjithë kohës në sytë e qytetarëve, asgjë nga sa më sipër nuk ndodhi. Vitet e politikave të papërgjegjshme dhe populliste ndaj Kosovës po japin rezultat, nuk po e paguajnë faturën ata që i vënë qytetarët në gjendje të pafuqishme.
Pavarësisht se kishte kohë të mjaftueshme që çështja e tyre e strehimit të zgjidhej realisht dhe plotësisht, tashmë barra i është bartur të pastrehëve, të cilët e kanë shlyer siç duhet.
Ironia është se, nëse disa prej këtyre familjeve vendosin të largohen nga Kosova, mund të takojnë lehtësisht atë zotërinë që në fillim të historisë, që do t’u thotë “e tradhtove Kosovën”.
Kjo përmbajtje u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.
Alternativna në partneritet me Iniciativa e Re Sociale.
Sanja Sovrlić
Sanja Sovrlić ka diplomuar në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës – Mitrovicë e Veriut. Ajo ka 15 vite përvojë pune në media dhe sektorin joqeveritar. Puna e saj fokusohet në monitorimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ndikimin e tij tek qytetarët dhe marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë. Ajo ka punuar ekskluzivisht në Kosovë për më shumë se 10 vjet, dhe që nga viti 2020, ajo punon si reportere për N1 në Beograd, duke vizituar shpesh Kosovën për të raportuar për ngjarjet aktuale.