Autori: Miloš Hrnjaz
Programi i mëngjesit në një prej stacioneve tona televizive. Gazetarët bisedojnë për çështje të ndryshme, duke përfshirë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS i OKB) lidhur me situatën në Kosovë, pas dekretit të Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Ndër të tjera, Rregullorja e lartpërmendur parasheh që vetëm euro të përdoret si valutë për pagesa në Kosovë. Mysafiri në emision konstaton: “Edhe kur organizohen mbledhjet e Këshillit të Sigurimit, këto janë vetëm sa për sy e faqe, asgjë tjetër” Ky është një ilustrim i konsensusit të analistëve, të cilët këto ditë njëzëri kanë shpjeguar se nga kjo seancë, e cila është kërkuar të caktohet urgjentisht nga Serbia, nuk duhet pritur asgjë dhe se ato janë kryesisht për “konsum të brendshëm”.
Megjithatë, një analizë më e afërt tregon se këto vlerësime janë sipërfaqësore. Kjo mund të shihet nëse seanca e lartpërmendur e mbajtur më 8 shkurt vendoset në kontekstin më të gjerë politik dhe juridiksionin e KS të OKB dhe më pas nëse vlerësohen më me kujdes pasojat e mundshme të asaj që patëm rastin të dëgjonim në vetë seancën.
Konteksti politik i seancës së KS të OKB 8 shkurt
Më shtatëmbëdhjetë shkurt të këtij viti, bëhen gjashtëmbëdhjetë vjet nga miratimi i Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës. Gjatë këtyre viteve ishim dëshmitarë të rrumbullakimit gradual të shtetësisë së Kosovës, që ndoshta po ecën më ngadalë se sa kishin shpresuar shumë në Kosovë dhe “Perëndimi”, por më shpejt dhe më sigurt se sa do të kishte dashur shumica në Serbi. Procesi i rrumbullakimit të shtetësisë së lartpërmendur bëhet nga autoritetet në Prishtinë, duke marrë gjithnjë më shumë kompetenca, që janë shenjë dalluese e një shteti sovran dhe duke i zgjeruar dhe zbatuar ato në Veri të Kosovës, përkatësisht në komunat ku Serbët janë shumicë. Në këtë kontekst duhet vështruar edhe Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Prandaj, deklaratat si ajo e Nenad Rashiqit se këtë çështje duhet vështruar si një sfidë operative dhe jo një çështje politike, nuk janë plotësisht të sakta. Çështja e valutës së pagesës në Kosovë është në të njëjtën kohë çështje teknike dhe politike për shkak të kontekstit më të gjerë në të cilin është miratuar rregullorja dhe në të cilin duhet të funksionojë. Siç është theksuar në disa raste, ajo ka edhe pasoja të mëdha në jetën e përditshme të Serbëve në Kosovë dhe firmave afariste që veprojnë në këtë territor.
Juridiksioni i KS i OKB dhe rëndësia e seancave të saj – rasti i Kosovës
Është pak e çuditshme për mua që është e nevojshme të shpjegohet rëndësia e seancave të KS të OKB-së. Në kuptimin institucional, është institucioni më i rëndësishëm i Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë. Në një kuptim thelbësor, është një institucion ku përqendrohet pushteti. Në të njëjtën kohë, KS i OKB-së miratoi mbi 130 rezoluta në lidhje me Jugosllavinë dhe Serbinë, rëndësia e të cilave nuk mund të mbitheksohet. Gjithashtu, ky është institucioni më i rëndësishëm ndërkombëtar ku çdo 6 muaj diskutohet për situatën në Kosovë. Në fund, seancat janë gjithashtu një mundësi për të paraqitur dhe legjitimuar interesat kombëtare të Serbisë në raport me Kosovën, në një mënyrë më pak formale.
Seanca e KS të OKB-së më 8 shkurt – rrjedha dhe rezultatet
Më pesë shkurt të këtij viti, përfaqësuesi i përhershëm i Serbisë në OKB ka paraqitur kërkesë për mbajtjen e seancës së KS të OKB-së, duke iu referuar nenit 35 të Kartës së OKB-së dhe nenit 3 të Rregullores së Punës së KS të OKB-së. Ndonëse ka pasur vlerësime se vetëm paraqitja e kërkesës është një sukses apo se sukses është fakti që KS i OKB-së ka pranuar të merret me këtë çështje, praktika e KS tregon se ky institucion rrallëherë refuzon kërkesat e shteteve anëtare për KS të OKB-së për të diskutuar një situatë të bazuar në nenin 35.
Në këtë tekst nuk është e mundur të prezantohen në mënyrë të detajuar pikëpamjet e të gjithë pjesëmarrësve në debatin para KS të OKB-së, prandaj do t’i përmbahem vlerësimeve më të rëndësishme. Fillimisht, të pranishmëve iu drejtua Karolina Ziadeh, shefe e UNMIK-ut, e cila shprehu shqetësimin serioz për veprimet e njëanshme, që qartazi bien në kuadër të procesit të dialogut politik dhe marrëveshjeve të arritura në kuadër të tij. Në të njëjtën kohë, ajo vlerësoi se “veprimet e tilla jo vetëm që rrisin tensionet, por edhe dobësojnë mundësitë për paqe të qëndrueshme dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, si dhe se “në frymën e parandalimit të konflikteve duhet bërë më shumë për t’i përfituar pjesëtarët e komuniteteve joshumicë”. Këto vlerësime të kreut të UNMIK-ut janë të rëndësishme jo vetëm sepse kritikojnë në mënyrë diplomatike lëvizjet e njëanshme që ishin objekt i seancës, por edhe sepse vlejnë për veprimet e ardhshme të autoriteteve të Prishtinës, të cilat, madje edhe nëse janë të ligjshme, duhet t’i ndërmarrin duke marrë parasysh interesat e komuniteteve pakicë në Kosovë.
Presidenti i Serbisë miratimin e Rregullores për operacionet me para të gatshme e vendosi në kontekstin e “sulmeve dhe persekutimit të gjerë” të Serbëve në Kosovë, që çojnë në “dëme të pariparueshme” për popullatën e atjeshme”, duke theksuar pasojat praktike të zbatimit të kësaj Rregulloreje për Serbët në Veri të Kosovës. Në të njëjtën kohë, ai deklaroi se kjo Rregullore shkel marrëveshjet e miratuara më parë nga viti 2015, rregulloret e BE-së dhe se paraqet vazhdimësi të “dhunës strukturore” ndaj Serbëve. Termat e përhapura sulme dhe persekutim u përdorën për të theksuar parandalimin e pretendimeve të “krimeve kundër njerëzimit” ndaj serbëve.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës i hodhi poshtë këto akuza, duke përmendur gjetjet dhe raportet e disa institucioneve ndërkombëtare, i vendosi në kontekstin e kinse “politikës koloniale dhe gjenocidale” të Serbisë dhe theksoi përkushtimin e tij për procesin e dialogut dhe bashkëpunimi me Serbët në Kosovë. Ai ka thënë se qëllimi i rregullores së lartpërmendur është që të parandalohen aktivitete të caktuara ilegale, si dhe të vendoset sundimi i ligjit në Kosovë, e jo t’ua vështirësojë jetën serbëve. Në disa deklarata të tjera lidhur me zbatimin e rregullores, ai ka thënë se mund të ketë pasur lëshime në “informimin e qytetarëve dhe në lidhje me procedurën e zbatimit të rregullores”, por se këto gjëra do të korrigjohen.
Sa i përket deklaratave të përfaqësuesve të anëtarëve të KS të OKB-së, ata në letër “shprehën shqetësim (serioz)” lidhur me miratimin e rregullores, sepse ai ka ndikim negativ në jetën e Serbëve në Kosovë. Gama e këtyre deklaratave lëvizte nga nevoja për të pezulluar një vendim të tillë derisa të sigurohet që masat të mos godasin popullatën Serbe në Kosovë, deri te kërkesa që dekreti i paligjshëm të anulohet sepse paraqet vazhdimin e persekutimit të popullatës serbëve. Miratimi rregullores (ose të paktën mënyra e miratimit dhe zbatimit të tij), padyshim që mori kritika serioze në KS të OKB-së. Nga ana tjetër, shumë vende (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Sllovenia etj.) kanë tërhequr vëmendjen edhe për ngjarjet në Banjskë, nevojën për të ndëshkuar pjesëmarrësit në to dhe për të hedhur dritë mbi të gjitha detajet që kanë lidhje me këtë konflikt.
Përfundim
Rregullorja për operacionet me para të gatshme të Bankës Qendrore të Kosovës mund të ketë pasoja shumë të pafavorshme për jetën e Serbëve në Kosovë. Duke qenë se Serbia praktikisht nuk ka mekanizma për të penguar miratimin dhe zbatimin e një vendimi të tillë, kërkesa që KS i OKB-së ta diskutojë është logjike dhe e dëshirueshme, edhe pse vetëm mbajtja e seancës nuk është fitore diplomatike. Kritikat e praktikisht të gjithë anëtarëve të KS të OKB në lidhje me miratimin dhe zbatimin e rregullores së lartpërmendur janë të rëndësishme, sepse rrit presionin politik mbi autoritetet në Prishtinë nga niveli më i lartë politik, që së paku të zbatohet vendimi për pezullimin e saj. Në të njëjtën kohë, u dërgua një mesazh i qartë se nuk u harruan as konfliktet në Banjskë dhe as obligimet e marra më parë në negociata.
Në fund të fundit, vlerësimet e mungesës së rëndësisë së seancave të Këshillit të Sigurimit të mishëruara në thënien – “Sa për sy e faqe”- paraqesin dembelizëm analitik, sepse rezultatet e atyre sesioneve nuk mund të vlerësohen vetëm sipas faktit nëse rezultati i tyre është një rezolutë detyruese, ndryshon rrënjësisht historia e statusit të Kosovës. Seancat si kjo e 8 shkurtit janë të rëndësishme, ngase mund të kenë ndikim në pozicionin konkret të secilit që jeton në Kosovë. Gjithashtu, në këtë seancë u vendosën standarde joformale për vendime të ngjashme në të ardhmen, pasi u përmend kërkesa që edhe nëse janë të ligjshme, ato duhet të jenë produkt i një marrëveshjeje me komunitetet pakicë dhe se gjatë zbatimit duhet pasur kujdes se çfarë ndikimi do të ketë ndaj komuniteteve.
Kjo përmbajtje u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.
Alternativna në partneritet me Iniciativa e Re Sociale.
Miloš Hrnjaz
Miloš Hrnjaz është profesor i asociuar në Universitetin e Beogradit – Fakulteti i Shkencave Politike, ku ligjëron të drejtën ndërkombëtare publike, të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtën e përdorimit të forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Libri i tij i fundit trajton kualifikimin juridik të konflikteve të armatosura në Jugosllavi. Ai mori bursa për trajnime në disa institucione si Universiteti i Leiden, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si dhe Akademinë e Gjenevës për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare dhe Ligjin për të Drejtat e Njeriut. Ai ka mbajtur edhe pozitën e Ndihmës Kryekëshilltarit Ligjor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë. Së bashku me disa kolegë dhe miq të tij, ai themeloi Rrethin Ndërkombëtar të Drejtësisë në Beograd.