Para fundit të secilit vit bëjmë përmbledhjen e ngjarjeve të vitit të vjetër, dhe me shpresë e optimizëm shikojmë kah viti i ri. Sipas këtij zakoni, për fund të vitit 2020, të cilin do ta kujtojmë për shumëçka, biseduam me aktivistë civil, muzikantë, gazetarë, në mirëbesimin dhe mesazhet për vitin 2021. Ilda Krama, Mevlude Skuroshi, Marko Zakić, Tringa Sadiku dhe Ana Marija Ivković – u përgjigjën në dy pyetje – cili është mesazhi i tyre në ndërtimin e mirëbesimit ndërmjet komuniteteve dhe cili është mesazhi i tyre për vitin 2020? Lexoni në vijim.

Me kalimin e kohës, të gjitha dallimet zbehen

“Si fëmijë i një martese të përzier etnike, në një qytet të ndarë – Mitrovicë, më ishte e ‘imponuar’ që nga mosha e re të përshtatem me jetën në dy anët e Mitrovicës, të mësoja dy gjuhë lokale, të jetoj, të shoqërohem, e të bashkëpunoj me komunitete nga kombësi e besime të ndryshme. Por, me kalimin e kohës këto dallime zbehen dhe gjithçka në fund arrin tek ‘njerëz të mirë dhe të këqij,’ me një kulturë të pasur, dhe kompromise edhe të shpeshta. Për shkak të kësaj linje të ndarjes, shumica kanë mbetur të pa inkuadruar në ndërtimin e një të ardhme më të mirë, në ndërtimin e mirëbesimit që do të duhej të ishte caku kryesor, ndonëse shumicës tash i duket abstrakt. Njëra nga dëshirat e mija më të mëdha është që në përgjithësi të gjithë e falim njëri-tjetrin, e falim të kaluarën, ndalojmë së qari dhe përqendrohemi në një të nesërme më të mirë!” – porositë Ilda Krama.

Rikujton që në fund të secilit vit ne të gjithë kemi të njëjtën dëshirë – shëndet, lumturi, dhe viti që vjen të jetë shumë më i mirë se i kaluari.

“Viti 2020 është një nga ato vitet që do të shkruhet në faqet e historisë me ngjarje të rëndësishme, fatkeqësisht tragjike, por na mësoi që dallimet ndërmjet njerëzve nuk ekzistojnë, që në fund të gjithë përfundojmë njëjtë, të gjithë rëndohemi nga të njëjtat gjëra, që vetëm me anë të bashkimit të forcave tona mund të tejkalojmë krejt këtë që na mundoj, dhe që jeta është e shkurtër. Për këtë arsye, me këtë mesazh për fundin e vitit dhe fillimin e të riut, dëshiroj që të gjithë të shpërndajmë dashuri dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin, të kënaqemi në atë çfarë kemi, me ata që e kemi, të mbajmë një shpirt optimist deri në fund,” shtoi ajo.

Nuk dallojmë fare

“Ne jemi të rrethuar nga shumë njerëz të komuniteteve të ndryshme, po t’i dëgjonim ata, të mësonim nga ata, të ndanim historinë tonë me ta, të shohim botën nga perspektiva e tyre, atëherë ne do të fitonim një mirëbesim natyrshëm, për shkak se s’do të shihnim asgjë ndryshe,” shpjegon Tringa Sadiku.

Mesazhi i saj për fundin e vitit?

“Mesazhi im është që të flasim nga zemra më shumë këtë vit, viti 2020 ishte i vështirë dhe na bëri të kuptojmë sa shumë kemi nevojë për dikë që të kujdeset për neve.”

Me njëri tjetrin, jo pranë njëri tjetrit

“Ndërtimi i mirëbesimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë është një proces afatgjatë me shumë sfida. Mirëbesimi pasqyrohet nga respektimi i të drejtave themelore të njeriut. Procesi i pajtimit në masë të madhe varet edhe nga gatishmëria politike e përfaqësuesve institucional. Që të arrihet përparim më i madh duhet të jetojmë me njëri tjetrin, dhe jo njëri pranë tjetrit,” është porosia e gazetarit Marko Zakić.

Me porosinë për mirëbesim, ai rikujton që viti që u përshkrua nga Korona virusi ishte sfiduese dhe e pazakontë.

“Përkrah pikëllimit dhe humbjes së shumë jetëve me këtë pandemi, qytetarët u bashkëndien me njëri-tjetrin. Në anën tjetër, pandemia shfaqi edhe shumë mungesa në lidhjen e institucioneve me qytetarët. Besoj që viti 2021 do të jetë shumë i mirë, gjithashtu, urimi i përhershëm ‘shumë shëndet e fat’ do të jetë më i sinqerti deri më tani,” shton.

Bëhuni gati të pranoni dhe zhvilloheni

“Mirëbesimi ndërmjet komuniteteve është vetëm ndërtimi i mirëbesimit ndërmjet njerëzve, ose tentimet për të. Mendoj që ky është hapi i parë; na nevojitet të shohim matanë dallimeve njerëzore dhe konstrukteve sociale, na duhet të kuptojmë që jemi duke bashkëpunuar e komunikuar me njerëz dhe jo me etni a gjini a çfarëdo nocioni që kërkohet nga donorët tanë,” thotë Mevlude Skuroshi – koordinatore e programit GAIA Kosovo në Mitrovicë.

Së dyti, na duhet të kemi besim në punën tonë dhe të jemi të sinqertë rreth saj,” shton ajo dhe shpjegon:

“Nëse dëshirojmë të afrojmë njerëzit, kjo duhet të rrjedhë nga motivimi i sinqertë, dhe përfitimet financiare nuk janë këto. Ne të gjithë duhet të edukojmë vetveten, të lexojmë, të jemi kritik, të pastrojmë veten nga narrativa nacionaliste që ka rrënjë të thella në shumicën prej neve, dhe të jemi gati të pranojmë e zhvillohemi”.

E vërteta, sinqeriteti, dhembshuria – tre përbërësit kryesor

“Besoj që ndërtimi i vërtetë i mirëbesimit ndodh jashtë fushëpamjes së publikut, në lidhjet e përditshme ndërmjet njerëzve të thjeshtë. E vërteta, sinqeriteti, dhembshuria janë tre përbërësit kryesor,” thotë Ana Marija Ivković, duke shtuar që porosia e saj për fund, siç shton, të vitit të rëndë 2020, është në pajtim me atë të mirëbesimit:

“Mësuam që shëndeti i mirë është më e rëndësishmja gjë dhe u pa që mundemi të ndjejmë dhembshuri në çastet më të rënda. Do të ishte mirë që të mos harrojmë dhembshurinë kur krejt kjo të mbarojë, si dhe faktin që pasuria e vërtetë janë – familja jonë, miqtë, dhe atë që kemi në zemër.”

Përdorimi i tekstit lejohet me një tregues të qartë të burimit dhe lidhjen me burimin e tekstit ose faqen kryesore të platformës.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *