Mimoza Studenica dhe Andjela Jordanoviç, jetojnë dhe punojnë në Kosovë; njëra në Prishtinë, tjetra në Mitrovicë. Pëlhurë, letra, ngjyra – janë “mjetet” e tyra të përbashkëta. Ato krijojnë vepra arti duke përdorur teknika të ndryshme, megjithatë, ato e trajtojnë krijimin artistik me po të njëjtën dashuri.

Ato kanë të njëjtin edukim të përfunduar – të dyja janë diplomuar në dizajn grafik, në Fakultetin e Arteve, Universitetin e Prishtinës ose Mitrovicës. Ndërsa Andjela njëzet e tre vjeçare është e angazhuar në grafikë, pikturë dhe vizatim dhe bën shtypje intaglio, dmth. akuintë dhe gravurë, Mimoza dyzet e gjashtë vjeç përdor teknikën e letrës filigranë në pëlhurë.

Motivi universal që përshkon punën e Mimoza Studenicës është motivi i një gruaje, kështu që në mesin e punimeve të saj mund të shihni Marilyn Monroe, Kate Moss, Geisha, grua japoneze …

“Ndjej që një grua është baza e një shoqërie dhe kjo është arsyeja pse unë zgjodha ta përfaqësoja atë përmes punimeve të mia,” thekson ajo.

Nga ana tjetër, Andjela, siç shprehet, është e angazhuar në hulumtimin e motiveve:

“Unë eksploroj figura, portrete, hapësirë, ndriçim, hije…”

Jeta e përditshme – i frymëzon të dyja për të krijuar.

“Unë gjej frymëzim çdo ditë, tek njerëzit përreth meje, në disa nga hulumtimet e mia të përditshme mbi artin”, thotë Andjela, studente e masterit.

Shikuesi i zakonshëm vë re detajet e jetës së përditshme në puimet e Andjelas.

Arti është një pjesë integrale e jetës së tyre, dhe cili është mendimi i tyre i parë kur dikush thotë ‘art’?

“Jeta”, përgjigjet Mimosa, “shprehje”, shton Andjela.

“Arti është një krijim që ne e lëmë pas, qoftë në formë të shkruar apo në karikaturë, apo vepra që i ndërmarrim gjatë jetës sonë”, shpjegon Mimoza, e cila punon për Radio Televizionin e Kosovës si dizajnere grafike për promovim.

Andjela i afrohet konceptit të artit në një mënyrë pak më ndryshe.

“Arti është, mbi të gjitha, edukim, njohuria e historisë së artit, si dhe teoria e formës, në mënyrë që përmes qëndrimit të fituar kritik ndaj artit, të mund të krijojmë ose kuptojmë më shumë nga vetja,” shpjegon ajo.

Arti është gjithashtu krijimtari që ne e lëmë pas dhe edukim, njohuri e historisë dhe teorisë, por është gjithashtu një lidhje që lidh individët dhe komunitetet dhe që në mënyrën e vet kontribuon në ndërtimin e besimit.

Si e konsiderojnë besimin si koncept artistet në fjalë?

“Arti është besimi në qenien tjetër njerëzore,” thotë Mimoza.

“Besimi është pa dyshim, siguri për mua,” përfundon Andjela.

Përdorimi i tekstit lejohet me një tregues të qartë të burimit dhe lidhjen me burimin e tekstit ose faqen kryesore të platformës.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *