Autori: Milica Stojanović Kostić

Kjo është një pyetje dëshpëruese, që gratë në Kosovë ia bëjnë vetes ditëve të fundit. Ky mendim nuk është vetëm hapi i fundit i zhgënjimit në një shoqëri ku gratë ngacmohen, përdhunohen, rrahën dhe, në kulmin e paturpësisë, vriten, por edhe një sinjal serioz i mosfunksionimit absolut dhe përgjegjësisë të një sistemi që nuk dëshiron t’i mbrojë femrat.

Sot grave u jepen dy mundësi: të heshtin dhe të vuajnë derisa të vriten ose të rebelohen, të raportojnë dhunën dhe të vriten përsëri, për shembull, në Qendrën për Punë Sociale, në rrugë, në shtëpinë e tyre. Ju pyesni veten: cila është kjo mundësi? E keni të qartë se zgjedhja është reduktuar në asgjë, sepse vetë politika penale është një asgjë e madhe.

Në muajin e fundit kemi qenë dëshmitarë të dy femicidev,e që kanë ndodhur në Kosovë, brenda 5 ditësh. Shembujt e frikshëm vazhdojnë. Në Graçanicë dhuna ndaj grave nëpër lokale regjistrohet dhe publikohet në rrjetet sociale, ndërsa dhuna në familje përmendet vetëm në biseda private. Vetëm jam në dijeni për tre raste të tilla, të cilat me përgjegjësi pohoj se po shpeshtohen, por çfarë po bën policia dhe sistemi?

Rregullimi ligjor në Kosovë është aq i dobët sa i përket çështjes së mbrojtjes së gruas, saqë më vjen pak turp si një person me dinjitet të shkruaj për këtë. Sepse unë si Milica, nesër mund të jam e rrahur, rastin ta lajmëroj në policinë e Graçanicës dhe të shpresoj që dhunuesi pas 48 orësh të mos bëjë një krim edhe më të rëndë. Po, vetëm mund të shpresoj, sepse ai mundet vetëm ta shikojë letrën, që thotë se ekziston ndalesa, pasi që hakmarrja e çmendur tij është duke u planifikuar. Si jam kaq e privuar nga e drejta, një grua që mbi të gjitha dëshiron të jetojë, të punojë dhe të rrisë fëmijën e saj, e lirë ta bëjë këtë?

Liria e gruas në shoqërinë e sotme, por edhe përmes ligjeve, është absolutisht e parëndësishme nëse një burrë qëndron përballë saj.

Është një shembull i pabesueshëm për mua nga një gjykatore në Kosovë, të cilin e dëgjoj edhe në biseda me njerëz që kanë informata, kur i akuzuari për dhunë ndaj një gruaje i thotë gjykatësit: Por, ju nuk më kuptuat, unë kam rrahur gruan TIME! Pra, sipas mendimit të tij, gjykata ka gabuar, sepse gruaja e tij është pronë e tij, jo një qenie njerëzore që gëzon të drejta të barabarta.

Unë mendoj se këtu qëndron disfata e sistemit, shoqërisë dhe meshkujve. Për të kuptuar një grua, vlerën dhe rëndësinë e saj, funksionet dhe qëllimet e saj.

Dhe pastaj të gjithë përballemi me pasojat. Nëse mund të shërohen ndonjëherë. Sepse si mund të shërohet një fëmijë, që pas vrasjes së nënës nga babai, përfundon në një shtëpi për fëmijët pa përkujdesje, në një familje kujdestare. Si të shërohet një fëmijë, që mban gjithë jetën barrën e babait të sëmurë, një mjedis që drejton vazhdimisht gishtin, një fëmijë që u rrit pa dashurinë dhe kujdesin e nënës.

Si të shërohet një fëmijë? Si të shërohen prindërit, që humbën vajzën e tyre? Si zvogëlohet dhimbja kur dikush në mënyrë mizore dhe shtazarake ju merr atë, që ju e doje më shumë se veten, i dhatë jetën, e mësuat për lumturinë dhe dashurinë? Si shërohet nëna?

Nuk mundet, pasojat janë të pariparueshme dhe kanë një ndikim të rëndësishëm në shoqëri, në ndërgjegjësimin tonë për konceptin e mirësisë, tolerancës dhe respektit reciprok!

E kuptoj, kritika pa propozime është një numërim i pabazë i problemeve, prandaj para nesh janë mundësitë, që askush ende nuk i merr parasysh. Pra, le të mendojmë për skenarin e mëposhtëm.
Nëse gjatë ushtrimit të kallëzimit të parë, dhunuesi do të qëndronte në paraburgim deri në fund të procesit gjyqësor, deri në shqiptimin e dënimit. Ndoshta duhet të imagjinojmë, gjithashtu se dënimet për dhunën ndaj grave nuk do të jenë gjoba, por dënime me burg.

Sepse është i tmerrshëm fakti, të cilin si dhënë statistikore e citon REL, bazuar në të dhënat e institucioneve përkatëse, se “98 për qind e të akuzuarve për dhunë në familje janë dënuar, për shembull me gjobë, vetëm 11 për qind janë dënuar me burg”.

Nëse shikojmë politikën aktuale ndëshkimore të policisë së trafikut, është e tmerrshme që do të “kaloni më lehtë” nëse rrihni një grua, sesa nëse nuk e vendosni rripin e sigurimit më shumë se një herë. Sepse kërcënimi për pjesëmarrësit në komunikacion është më i madh sesa kërcënimi për gratë.

Vendimi i fundit i gjykatës për dënimin e përdhunuesit të një 11-vjeçare tregon, gjithashtu se ligjet janë më humane ndaj përdhunuesve sesa ndaj viktimave, nëse janë femra.

Pasojat e postulateve të pabazuara në edukim janë të pashërueshme. Prandaj është e një rëndësie vendimtare, që ne si shoqëri të zgjohemi dhe të veprojmë në drejtimin e duhur, dhe kjo është në radhë të parë për të rinjtë, fëmijët dhe familjet. Si? Të përfshihet konkretisht barazia gjinore, toleranca, respekti si lëndë e detyrueshme në shkollë. Mësoni fëmijët tuaj, që në moshë të re, për bukurinë e diversitetit në çdo kuptim. Të ngritët vetëdija e prindërve se mënyra e gabuar e edukimit të tyre mund të sjell dështimin e fëmijës së tyre. Duhet fuqizuar vajzat dhe djemtë lidhur me respektin e ndërsjellë.

Nëse nuk zgjohemi nga ky model i përditshëm i numërimit të viktimave, nuk do të arrijmë shumë larg. Statistikat janë të rëndësishme, njohja e femicidit është e rëndësishme, qoftë edhe për të na zgjuar që të fillojmë të veprojmë.

Nënat e mia të dashura, imagjinoni një situatë në të cilën djali juaj do ta vriste të dashurën ose gruan e tij, nipi juaj? Është një ndjenjë e neveritshme, apo jo? Prandaj ju jeni këtu, që ky mendim të përndjek çdo ditë derisa e mësoni se si të sillet ndaj vajzave në shoqëri, në shkollë, nesër ndaj grave në punë, në lidhje emocionale, në rrugë, në martesë.

Të dashura nëna të vajzave, imagjinoni një situatë në të cilën ndonjë dhëndër vret vajzën tuaj, e rrah, e keqtrajton dhe ajo, ngase ju e mësuat ashtu, nuk guxon ta thotë këtë, sepse ju e mësuat kështu, ajo nuk guxon të kthehet tek ju. A jeni të gatshëm të jetoni me këtë? E di që jo. Pra, mos e mësoni të përkulë kokën ndaj gjithçkaje që e urdhërojnë meshkujt që janë përreth saj.

Të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm, ne si individë, shoqëri, aktivistë, sektori civil, sepse sistemi do të ndryshojë atëherë kur të ndryshojmë ne, përndryshe do të vazhdojmë t’i ngushëllojmë motrat dhe miket tona në biseda private, që të marrin guximin dhe ta braktisin dhunuesin, me mendimin e tmerrshëm për skenarët e mundshëm që mund t’i ndodhin pas raportimit.

Prandaj, mos hesht!

Fol dhe mbroni gratë kur të keni mundësi!


Kjo përmbajtje u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Alternativna në partneritet me Iniciativa e Re Sociale.


Milica Stojanović Kostić

Gazetare e diplomuar me mbi 10 vite përvojë pune. Drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së Pravo na Pravo. Aktiviste për të drejtat e grave. Themeluese dhe redaktore e faqe  së internetit të Women’s Info dhe podcast-it ŽensCast.

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *